Nisi sot takimi dy ditor, rajonal i rrjetit kulturor Traduki në Tiranë nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Takim, i cili mbahet në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit ku parashikon të trajtojë çështje të mbështetjeve të botimeve të reja, përkthimeve, buxhetit, kritereve për aplikim në Traduki si dhe hollësitë për Panairin e Librit në Leipzing.
Falë mbështetjes së rrjetit Traduki numërohen rreth 32 tituj të përkthyer në gjuhën shqipe nga letërsia e ballkanit. Emra si: Enes Karic, Alek Popov, Milijenko Jergovic, Ivana Baretic, Ognjen Spahic, Nikola Madsirovska, Panait Istrati, Drago Jancar, Dragan Velikic, Vladimir Arsenijevic dhe Sasa Ilic tashmë mund të gjenden edhe në gjuhën shqipe. Përfitime ka njohur edhe letërsia shqipe ku numërohen 22 përkthime,17 tituj nga 14 autorë, 8 nga Shqipëria dhe 6 nga Kosova. Autorët e përkthyer janë: Dritëro Agolli, Ben Blushi, Stefan Çapaliku, Tom Kuka, Ismail Kadare, Arian Leka, Fatos Lubonja, Agron Tufa, Veton Surroi, Edi Shukriu, Astrit Salihu, Jeton Neziraj dhe Beqë Cufaj etj.