Në kuadrin e muajit të leximit “Tetori i Librit”, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, te Universiteti i Tiranës, u organizua takimi letrar me temë «Lexojmë dhe njohim letërsinë: nga Franca në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Francë», i konceptuar si një ndalesë dhe pikëtakimi mes letërsisë frënge dhe asaj shqiptare.
Në aktivitet nderoi me praninë e tij atasheu kulturor i Ambasadës Franceze në Tiranë, zoti Jérôm Spinoza, si dhe Prof. Dr. Artur Sula, Dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Ky aktivitet synoi promovimin e punës dhe veprës së deritanishme të autorëve, përkthyesve dhe botuesve për afrimin mes gjuhë-kulturave, përkatësisht asaj franceze dhe shqiptare.
U synua gjithashtu nxjerrja në pah e rolit të patjetërsueshëm të letërsisë (me gjithë aktorët e saj të drejtpërdrejtë: autor/përkthyes/botues/studiues) si urë komunikimi mes kombeve, aq e nevojshme në këtë periudhë distancimi, sa social aq edhe fizik.
Gjatë këtij takimi kumtuan Profesorë të gjuhës Frënge pranë Fakultetit, si dhe përkthyes dhe studiues.