Aktivitete, Të rejat|

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli veprat fituese për “Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”.

Nga 12 aplikime, juria, e kryesuar nga përkthyesi Erion Kristo dhe me anëtarë dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Esmeralda Kromidha, dhe profesor  Blendi Lamin vlerësoi për t’u mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit 6 autorët dhe veprat.

Fituesit për “Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”:

Shtëpia Botuese / Autori / Vepra / Përkthyesi/ Gjuha e përkthyer   

  1. Lit Edizioni S.a.s di Pietro D’Amore, Ylljet Aliçka, “Histori njerëzish të zakonshëm”, Fabio dhe Kriselda Rocchi, Italisht.

Vepra u vlerësua me motivacionin: “Një vepër e spikatur, në të cilën tregohen me art histori nga jeta e përditshme që sjellin në vëmendje karaktere të zakonshme dhe reflektojnë realitetin shqiptar. Stili i tij karakterizohet nga ironi e thellë dhe përshkrim realist i ngjarjeve dhe personazheve”.

  1. Eurasia 1618 L.P., Maklena Nika, “Nitroglicerinë”, Eleana Zhako, Greqisht.

Vepra u vlerësua me motivacionin: “Poetja Maklena Nika është një zë i veçantë në poezinë shqipe moderne. Ajo ndërthur psikologjinë, psikanalizën, fizikën, kiminë dhe erotizmin, duke na dhënë një poezi të pazakontë”.

  1. Libros de las malas companias, Namik Dokle, “Vallëzim me hënën”, Maria Esperanza Roces González, Spanjisht.

Vepra u vlerësua me motivacionin: “Një vepër e përkthyer mjeshtërisht duke respektuar saktësisht qasjen gjuhësore, por edhe atë socio-kulturore në përkthim. Cilësia e përkthimit, ruajtja e stilit të autorit, impakti i kësaj vepre dhe autorit për lexuesin, risitë në formën artistike si edhe pesha e botuesit për të promovuar veprën dhe e publikut të cilit i drejtohet, legjitimon plotësisht akordimin e fondit të përkthimit”.

  1. Neolit, Arian Leka, “Në kërkim të këmishës së humbur”, Mendu Imeri, Kroatisht.

Vepra u vlerësua me motivacionin: “Një vepër sfiduese për nga zhanri dhe simbolika, e cila vjen bukur në gjuhën kroate duke ruajtur sa më shumë botkuptimin origjinal dhe duke iu përshtatur gjuhës pritëse, i jep mundësinë lexuesit të kultivuar kroat që të njihet me një vepër të spikatur në letrat shqipe”.

5.PNV Publikacii Dooel Skopje, Manjola Nasi, “Një udhëtim e gjysmë”, Monika Mitreva, Maqedonisht.

Vepra u vlerësua me motivacionin: “Një punë e spikatur e përkthyeses Monika Mitreva, e cila ka arritur ta përcjellë bukur botën poetike të poetes së mirënjohur Manjola Nasi. Edhe pse maqedonishtja është një gjuhë që ka sintaksë të ndryshme nga shqipja, është ruajtur gjuha burimore dhe përkthyesja rreket të shkojë drejt përsosmërisë, duke bërë të njohur në Maqedoninë e Veriut, një botë të pasur poetike si ajo e Manjola Nasit”.

  1. Salento Books SRLS (Besa Muci), Artur Spanjolli, “Lule drite në ag”, Anna Elisabetta Baldacci, Italisht.

Vepra u vlerësua me motivacionin: “E përkthyer me mjeshtëri dhe e një niveli shumë të mirë, me fjali të kuptueshme, të rrjedhshme, të përshtatura bukur dhe saktë sipas origjinalit, vepra “Lule drite në ag”, e autorit Artur Spanjolli do të botohet në italisht nga shtëpia botuese “Salento Books SRLS”, e cila njihet tashmë për publikim dhe promovime të suksesshme. Artur Spanjolli ka arritur të ketë tashmë një zë të veçantë në botën letrare shqiptare”.

 

Comments are closed.

Close Search Window