Me leximin vjen guximi
Botimet e letërsisë për fëmijë në Shqipëri dhe Kosovë, përzgjedhjet dhe pritja nga lexuesi, sfidat editoriale të kësaj letërsie, problemet e përkthimit, arti i ilustrimit, rritja e komunikimit mbi leximin në shkolla, ishin vetëm disa nga temat që u trajtuan në seminarin kushtuar letërsisë për fëmijë, në Panairin e Librit që po mbahet në Prishtinë, nën moderimin e Drilona Shalës në hapësirat e librari “Dukagjinit”.
Organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, në bashkëpunim me librarinë “Dukagjini”, ky seminar solli një tablo të problematikave dhe sfidave me të cilat përballet kjo letërsi, tepër e qenësishme jo vetëm për edukimin por dhe për ata që ne i quajmë lexuesit e së ardhmes.
Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Alda Bardhyli, drejtoresha e QKLL-së, Violeta Hyseni, mësimdhënëse, OJQ AutizmiFlet Prishtinë, Gëzim Tafa botues i OmbraGVG, njohës i mirë i artit të ilustrimit, Manushaqe Bako, botimet “Dritan”, Agon Ahmeti, drejtor i ETEA, sollën para një audience prindërish, lexuesish dhe profesionistësh të fushës, qasjen dhe vizionin e tyre për një rritje të vëmendjes dhe politikave ndaj letërsisë për fëmijë.