Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Poeti Laureat Rudolf Marku organizuan aktivitetin “Poezia bashkëkohore shqipe, probleme dhe zgjidhje”, aktivitet ky me në fokus poezinë shqipe dhe nisja e një sërë aktivitetesh të vazhdueshme që QKLL dhe Poeti Laureat do të kryejnë në muajt në vazhdim për të nxjerrë në pah vlerat e poezisë shqipe, si dhe të poezisë bashkëkohore.
Të pranishëm në diskutime ishin poetët Natasha Lako, Gazmend Krasniqi, Preç Zogaj, studiuesi dhe profesori Gëzim Basha dhe drejtorja e QKLL-së, Alda Bardhyli. Poeti Laureat, Rudolf Marku, bëri një analizë të poezisë shqipe pas viteve ‘90, duke u ndalur në qasje e prirje që i kanë pasuruar vargjet shqipe, si dhe foli për nevojën e krijimit të antologjive. Sipas tij, duhet të rriten kriteret e botimeve të tilla.
Poetja Natasha Lako u shpreh se ka refuzuar të përkthehet në anglisht, pasi përkthimet ishin të dobëta, por edhe për rëndësinë që ka përkthimi i poetëve dhe hulumtimet në gjetjen e përkthyesve.
Poeti Laureat shqiptar, gjatë dy viteve të mandatit të tij, është duke përgatitur tri antologji të poezisë shqipe të periudhave të ndryshme, me mbështetjen e QKLL-së.