Letërsia Shqipe në qytetet e Shqipërisë, është një ndër nismat e reja që ka ndërmarrë Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për promovimin e autorëve shqiptarë dhe të leximit, duke bashkëpunuar me bashkitë e qyteteve shqiptare në organizimin e aktiviteteve mbështetëse për librin, rijetëzimin e klubeve letrare në rrethe dhe këshillimin pranë bashkive përkatëse për krijimin e fondeve të veçanta mbi librin në bibliotekat dhe shkollat e qytetit.
Në bashkëpunim me Bashkinë Durrës, kjo nismë filloi me Durrësin, i quajtur si Qyteti i Letërsisë për muajin prill, duke ftuar në një takim letrar shumë të ngrohtë shkrimtaren Diana Çuli dhe shkrimtarin Bashkim Hoxha.
Një takim që u prit me shumë interes dhe shumë frymëzues për lexuesit e rinj të këtij qyteti. Muaji prill do të vazhdojë me një sërë aktivitetesh leximi dhe takimesh në qytetin e Durrësit. Gjatë muajve në vazhdim, kjo nismë do të vazhdojë edhe në qytetet e tjera të vendit.