Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ambasada e Francës në Shqipëri, lidhën sot një marrëveshje bashkëpunimi për t’i dhënë jetë projekteve të përbashkëta në fushën e librit. Marrëveshja u nënshkrua nga z. Jérôme Spinoza, Këshilltar për Marrëdhëniet Kulturore dhe znj. Alda Bardhyli, Drejtore e QKLL-së. Të dyja palët do të bashkojnë përpjekjet e tyre për të bërë të mundur publikimin e autorëve shqiptarë në gjuhën frënge dhe, reciprokisht, të autorëve francezë në gjuhën shqipe:
– Ambasada mbështet realizimin nga ana e Qendrës të Programit të Mbështetjes së Publikimeve të dedikuar frankofonisë (PAP-FR). Ky i fundit do të jetë i koordinuar me Programin e Ndihmës së Publikimit të Qendrës (PAP-AL);
– QKLL-ja dhe Ambasada do të nisin programin e formimit të përkthyesve të rinj shqiptarë. Me këtë qëllim, QKLL-ja do të organizojë nga data 30 qershor deri më 31 dhjetor 2021 një plan trajnimi me profesorë të Departamentit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës dhe ekspertët francezë.
Përgjatë vitit 2021, Ambasada do të vërë në dispozicion të programeve të saj një shumë maksimale për të financuar përkthimet e veprave të përzgjedhura nga PAP-FR dhe për shpenzimet e ekspertëve francezë, që do të vijnë për të trajnuar përkthyesit e rinj shqiptarë.
Qendra do të vërë në dispozicion një shumë maksimale: për të financuar përkthimet e veprave të përzgjedhura në PAP-AL dhe do të marrë përsipër shpenzimet që lidhen me programin e trajnimit të përkthyesve të rinj.
Thirrja e përbashkët në mbështetje të botuesve që zgjedhin të sjellin në shqip autorë francezë do të hapet më 10 qershor 2021.