Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Rektorati i Universitetit të Tiranës, nëpërmjet drejtuesve të institucioneve përkatëse, Drejtoreshën e QKLL Znj. Alda Bardhyli dhe Rektorin e UT, Prof. Dr. Artan Hoxha, nënshkruan sot një Memorandum Mirëkuptimi, i cili ka për qëllim bashkëpunimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Në bazë të këtij Memorandumi, që ngre një urë bashkëpunimi, QKLL do të realizojë botime, konferenca shkencore, ekspozita, takime informuese me studentë dhe pedagogë, aktivitete dhe projekte të përbashkëta që do t’i shërbejnë shkëmbimit të përvojave të ndërsjella ndërmjet dy institucioneve.
Me interes do të jetë shkëmbimi i botimeve ndërmjet UT dhe QKLL, zhvillimi i aktiviteteve të lidhura me fushën e librit dhe në ndihmë të studentëve, si dhe ofrimit të ekspertizës së personelit akademik për recensa kritike dhe konsulta të specializuara për botime dhe projekte që do të ndërmarrë QKLL.