Juria e “Çmimeve Kombëtare të Letërsisë”, për vitin 2020, pati takimin e radhës mbi diskutimet dhe vijueshmërinë e këtij procesi të rëndësishëm për skenën letrare shqiptare. Anëtarët e jurisë, duke vlerësuar punën e autorëve për vitin 2020, kanë përzgjedhur 10 botimet më të mira për secilën kategori: “Proza më e mirë e vitit”; “Vëllimi poetik më i mirë i vitit”; “Vepra studimore/eseistike/publicistike më e mirë e vitit”; “Letërsia për fëmijë/të rinj më e mirë e vitit”; “Përkthimi më i mirë i vitit”.
Kjo renditje është bërë sipas rendit alfabetik.
Juria e “Çmimeve Kombëtare të Letërsisë”, e përbërë nga z. Mehmet Kraja (Kryetar) dhe anëtarët znj. Elda Gjana, z. Ylljet Aliçka, z. Ardian Ndreca dhe z. Shezai Rrokaj, ka nisur punën e saj që në shkurt të vitit 2021, duke shqyrtuar, sipas rregullores, të gjitha veprat e botuara në vitin 2020.
“Çmimet Kombëtare të Letërsisë”, të krijuara prej vitesh nga Ministria e Kulturës, si edhe të kthyera tashmë në një traditë, janë aktiviteti më i rëndësishëm në gjykimin e vlerave letrare të një viti.
Në mbledhjen e radhës juria do të vendosë për 5 veprat që do të garojnë për çmimin e madh.