Aktivitete, Të rejat|

Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Alda Bardhyli, është pritur gjatë një vizite në Beograd nga Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë, z. Vladimir Pistalo, shkrimtar dhe një personalitet i lartë i kulturës.
Partneriteti në fushën e shkëmbimeve kulturore mes dy vendeve duke nisur nga libri, si dhe nxitja e projekteve të përbashkëta, ishin në qendër të diskutimeve në këtë takim.
Krijimi i një programi të përbashkët përkthimi për të botuar në gjuhën serbe dhe anasjelltas i autorëve të të dyja vendeve; promovimi i vlerave më të mira në fushën e librit; shkëmbimi i eksperiencës në rrjetin e librarive dhe bibliotekave, si dhe pjesëmarrja e botuesve shqiptarë në Panairin e Librit në tetor në Beograd, ishin disa nga tematikat e tjera që u diskutuan.
Midis të tjerave, dy bashkëbiseduesit diskutuan dhe ranë dakord për pjesëmarrjen si të ftuar të dy autorëve të rinj shqiptarë në Festën e Librit në Novi Sad në vitin 2022, si dhe një prezantim të Bibliotekës Kombëtare të Beogradit në mars të 2022 në Tiranë.
“Atë që ndan politika e bashkon kultura”, thotë Gëte, edhe çdo projekt politik pa kulturën si element i qenësishëm i tij do të ishte i mangët. Ky afrimi kulturor do të thotë që më shumë shkrimtarë shqiptarë, serbë, maqedonë, malazezë, boshnjakë të botohen e të qarkullojnë në libraritë e vendeve tona.
“Plot 30 vite pas rënies së Murit të Berlinit dhe të Perdes së Hekurt mes Perëndimit dhe Lindjes, një mur i vogël dhe një tjetër Perde, edhe pse jo prej Hekuri, vijon të ekzistojë mes vendeve tona ballkanike. Arti dhe kultura, në radhë të parë letërsia e shkrimtarët, janë instrumenti më i mirë për të shembur njëherë e përgjithmonë rrënojat e së kaluarës dhe për t’i ndihur integrimit mes nesh dhe atij në familjen e madhe europiane”, tha Pistalo.
Gjatë vizitës në Beograd, drejtorja e QKLL-së është pritur dhe nga Drejtori i Bibliotekës Universitare të Beogradit, prof. Aleksandar Jerkov, ku është folur mbi mundësinë e një ekspozite të fondit të librit shqip të kësaj librarie.

Comments are closed.

Close Search Window