Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, hapin më 15 dhjetor, ora 12:00, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ekspozitën retrospektive “Rrugëtimi i abetares shqip 1844 – 1942” .
Për herë të parë, kjo ekspozitë sjell në Prishtinë ekzemplarë të rrallë të teksteve të abetareve, që ruhen si një trashëgimi e vyer në fondin arkivor të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, duke shërbyer edhe si një kujtesë e kontributeve në botimin e abetareve të gjuhës shqipe të personaliteteve dhe figurave të shquara të kombit.
Ato mbajnë për autorë emra të mëdhenj të letrave shqipe, duke nisur me Veqilharxhin e vijuar me Kostandin Kristoforidhin, Anastas Kulluriotin, Sami Frashërin, Jeronim de Radën, Luigj Gurakuqin, Nikolla Lakon, Mati Logorecin, Ndre Mjedën, Jani Vreton, Pashko Vasën, Ndoc Nikajn, Parashqevi Qiriazin, Aleksandër Xhuvanin, Ndue Palucën etj., të cilët duhet t’i kujtojmë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.
Kjo ekspozitë sjell rreth 100 vite rrugëtim të abetares shqip, duke nisur nga abetarja e parë e gjuhës shqipe e njohur gjer më sot, ajo e Naum Veqilharxhit më 1844-n, që mendohet të jetë botuar në Bukuresht ose Brail, Rumani dhe shkuar deri në vitin 1942 me abetaret toskërisht e gegënisht, botuar nga Ministria e Arsimit në Firence. Shumica e abetareve të ekspozuara janë shtypur jashtë vendit, çka reflekton edhe situatën e vështirë që ekzistonte në Shqipëri dhe vështirësitë në rrugëtimin e lëvrimin, njohjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare. Këto abetare janë shtypur në Bukuresht, Konstancë, Athinë, Selanik, Bruksel, Firence, Milano, Vjenë, Paris, Stamboll, Sofje etj. Ndërkohë që abetarja e parë e shtypur në vend është ajo e Shoqërisë “Bashkimi”, shtypur në Shkodër më 1899-n.