Aktivitete|

Qendra kombёtare e Librit dhe Leximit simpozium pёr Ditёn Ndёrkombёtare tё gjuhёs Amtare
Me rastin e 21 shkurtit, Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit organizoi në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar simpoziumin me temë “Lëvizjet për gjuhë”. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm akademikë, studiues dhe profesorë të letërsisë e gjuhës shqipe.

Aktivitetin e hapi drejtoresha e QKLL, Znj. Alda Bardhyli, duke thënë se: “21 shkurti është dita kombëtare e gjuhës amtare. Gjuha është pjesa më e qenësishme e identitetit të një kombi dhe madje mund të cilësohet si vetë kombi. Më vjen mirë që edhe në vendet fqinje ka aktivitete të tilla për gjuhën tonë unike shqipe”. Në këtë takim referuan profesorët e Universitetit të Tiranës Dhurata Shehri, Anila Mullahi, Anila Çepani, Diana Kastrati, Genciana Abazi nga Universiteti Europian i Tiranës, Mimoza Ahmeti nga Universiteti Mesdhetar. Takimin e përshëndeti dhe Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi.

Në këtë simpozium studiuesit e akademikët diskutuan për gjendjen e gjuhës shqipe në ditët e sotme dhe çfarë duhet bërë ndryshe për ta pasuruar më tej atë. Duke u përqendruar në problemet që hasen më shpesh, të gjithë ranë dakord se rrjetet sociale dhe gjuhët e huaja kanë ndikuar shumë në mospërdorimin e saktë të shqipes, sidomos te të rinjtë.

Studiuesit nuk mund të linin pa përmendur historinë e gjuhës shqipe, se si ajo ka ndikuar në nacionalizimin shqiptar dhe në krijimin e identitetit.

Duke u ndalur kryesisht në shqipen e ditëve të sotme, të gjithë të pranishmit ngritën të njëjtat probleme, si ndikimi i fuqishëm i teknologjisë në cenimin e gjuhës, integrimi i fjalëve të huaja dhe përkthimet e dobëta.

Comments are closed.

Close Search Window