Vetëm libri, leximi, poetët shkrimtarët, ata që Persi Shelli i quante ligjvënësit e panjohur të botës, duhet të jenë shtylla ku duhet të mbështetemi për të ruajtur dhe konfiguruar bukur të ardhmen.
Vetëm përmes librit dhe leximit mund të ruajmë dhe përsosim gjuhën shqipe, e cila si asnjëherë më parë, duket se na qorton.
Çmimet Kombëtare për Letërsinë 2021, u ndanë mbrëmë në një ceremoni që bëri bashkë njerëz të letrave, në praninë e Ministres së Kulturës Elva Margariti.
Çmimi Kombëtar i Letërsisë, për kategorinë “Romani më i mirë i vitit”: Agron Tufa me librin “Ngjizja e papërlyeme”, për një rrëfim mjeshtëror dhe një galeri të pasur personazhesh, ku gërshetohen së bashku historia, fantastikja dhe grotesku. Libri është botuar nga “Onufri”.
Çmimi Kombëtar i Letërsisë, për kategorinë “Libri më i mirë për fëmijë i vitit”: Anila Kadija me librin “Ninulla e zemrës”, për një vepër me figuracion e ligjërim të pasur, që përcjell dashurinë për gjuhën dhe botën shqiptare. Libri është botuar nga “Albas”.
Çmimi Kombëtar i Letërsisë, për kategorinë “Vëllimi më i mirë poetik i vitit”: Visar Zhiti me librin “Dorëshkrimet e burgut”, për një vepër të shkruar në rrethana dramatike, që rrezaton humanizëm dhe vlera të larta artistike. Libri është botuar nga “Onufri”.
Çmimi Kombëtar i Letërsisë për kategorinë “Përkthimi më i mirë i vitit”: Saverina Pasho, me librin “Njeriu i parë”, për përkthimin mjeshtëror të një vepre me ligjërim të ndërlikuar dhe përcjelljen e përmasës universale të artit të Kamysë. Libri është botuar nga “Fan Noli”.
Çmimi Kombëtar i Letërsisë për kategorinë “Vepra më e mirë studimore letrare e vitit”: Persida Asllani dhe Dhurata Shehri me librin “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”, për një qasje ndryshe ndaj zhvillimit letrar përmes zbatimit të metodës krahasimtare në rikonceptimin e historisë së letërsisë shqiptare. Libri është botuar nga “Albas”.
Çmimi Kombëtar i Letërsisë, për kategorinë “Vëllimi më i mirë me tregime i vitit”: Durim Taçi me librin “Nga një derë tjetër”, për teknikat e tregimtarisë moderne dhe përvijimin e kronikës letrare të kohës sonë, duke u përqendruar në filozofinë e ballafaqimit me tjetrin. Libri është botuar nga “Fishta”.