Festivali “Fajin ma ka gjuha” u çel këtë mbrëmje në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit me dy shkrimtarët fitues të Çmimit Europian të Letërsisë, Shpëtim Selmani dhe Tom Kuka, në një bashkëbisedim me kritikun letrar dhe studiuesin Ben Andoni, pjesë e komitetit të këtij çmimi për vitin 2021.
Shpëtim Selmani rrëfeu mbi letërsinë e tij, si ngjizet ajo dhe çfarë e bën të shkruaj. Kalimi nga shkrimi në prozë, tek ai i poezisë e deri te drama dhe se si procesi i tij i të shkruarit nuk është një proces i kornizuar, siç mendohet së jashtmi, por një proces që vjen natyrshëm në çaste të ndryshme.
Tom Kuka gjithashtu rrëfeu se çfarë nënkupton letërsia për të, kur e lexon prej të tjerëve dhe kur e shkruan ai vetë. Se si temat e tij nuk janë zgjedhur për të plotësuar doemos një hartë të Shqipërisë, por sepse ai i ka zbuluar ato, i ka dëgjuar të rrëfyera dhe është përballur me nevojën për t’i shkruar.
Gjithashtu, një ndër qëllimet e “Tetorit të Librit” është krijimi i hapësirës së komunikimit dhe i promovimit të autorëve shqiptarë që shkruajnë jashtë Shqipërisë.