Veprën e vet madhore Lahuta e Malcis; Gjergj Fishta e ka ndërtuar si poemë epike, prandaj ajo është ndërtuar sipas parimit epik. Eshtë një ndërtesë epike letrare, ndërsa lënda e saj e ndërtimit merret edhe prej eposit popullor. Disa kritikë e kanë afruar krijimin e Fishtës me poemat homerike. Rilindja jonë kombëtare vuri në qëndër të programit të saj zgjimin kombëtar nëpërmjet lëvrimit të gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Kultura ka luajtur një rol të madh në mbrujtjen e identitetit kombëtar. Fishta dhe vepra e tij ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë lëvizje.
Prof Xhevat Lloshi
Në 151 vjetorin e lindjes, profesorë dhe studiues, e kujtuan Gjergj Fishtën tashmë nën këndvështrimet e një dimensioni të ri gjykues, në rolin dhe kontributin e tij në historinë e letërsisë shqipe, në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, përballë një audience të rinjsh, që kanë nevojë për të njohur më shumë figura të larta të kulturës shqiptare.