Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mirëpriti sot në mjediset e saj zotin Vladimir Pištallo, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë, në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri. Bashkë me Drejtoreshën e QKLL-së, zonjën Alda Bardhyli, u mbajt një konferencë për mediat, ku u paraqitën dhe diskutuan disa prej projekteve të reja me rëndësi në fushën e librit dhe të letërsisë midis dy vendeve.
Zoti Pištallo e nisi këtë konferencë duke paraqitur vlerësimin e tij për takimet bilaterale midis dy institucioneve si të rëndësishme në ngritjen e urave të bashkëpunimit kulturor dhe letrar midis Shqipërisë dhe Serbisë, dhe në mbështetje të autorëve shqiptarë dhe serbë.
Ndër pikat e paraqitura si nisje e këtij bashkëpunimi, zoti Pištallo veçoi:
Punën e ngritur për krijimin e një Antologjie të përbashkët me tri autorë shqiptarë dhe tri autorë serbë, në gjuhë shqipe dhe serbe;
Në mbështetje të projektit “Open Ballkan”, nisja e një perspektive për projekte kulturore në fushën e librit dhe të arteve midis dy vendeve dhe hartimin e programeve të përbashkëta në ndihmesë të autorëve shqiptarë për përkthimin e veprave të tyre në gjuhën serbe dhe anasjelltas;
Propozimin për një ribotim të plotë të veprës së Ismail Kadaresë, si një prej shkrimtarëve më përfaqësues shqiptarë, por edhe të rajonit.