Në datat 8 dhe 9 nëntor u zhvillua në Vjenë takimi i 32 i rrjetit Traduki.
Ndryshe nga herët e tjera, kur takimet janë zhvilluar nëpërmjet platformës Zoom, këtë herë takimi i radhës u zhvillua në mjediset e Ministrisë Federale për Artet, Kulturën, Shërbimin Civil dhe Sportin së Austrisë, në Vjenë (Vienna, 1010 Vienna, Concordiaplatz 2, Federal Ministry for Arts, Culture, the Civil Service and Sport), takim ky, në të cilin Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, u përfaqësua nga drejtoresha Alda Bardhyli.
Në këtë takim dyditor, u diskutuan Raporti Vjetor për vitin 2020, Propozimi i Buxhetit për vitin 2022, Vendimmarrjet mbi aplikimet e kryera për mbështetje përkthimi, Vendimmarrjet mbi aplikimet e kryera për mbështetje projektesh (festivale).
Gjithashtu u përfshinë diskutime mbi Panairin e Librit të Leipzigut, si dhe u përmbyll me nënnshkrimin e Marrëveshjes së Re nga anëtarët e rrjetit Traduki, pjesë e së cilës janë Fondacioni S. Fischer, Instituti Goethe, Agjencia Sllovene e Librit, Ministria e Kulturës dhe Medias e Republikës së Kroacisë, Fondacioni Kulturor i Lihtenshtejnit, Qendra e Librit dhe Leximit, Tiranë, Ministria e Kulturës së Republikës së Serbisë, Ministria e Kulturës e Rumanisë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sporteve të Malit të Zi, Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë Veriore, Panairi i Librit Leipzig, Ministria e Kulturës e Republikës së Bullgarisë.