Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Alda Bardhyli, mirëpriti sot, në mjediset e QKLL-së, Shoqatën e Botuesve Shqiptarë e përfaqësuar nga kryetari i saj, z. Petrit Ymeri dhe nga z. Gëzim Tafa, botues dhe anëtar i ShBSh-së.
Në këtë takim drejtoresha e QKLL-së, znj. Alda Bardhyli, shpalosi vizionin dhe programin e saj dhe të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit për vitin 2021. Ndër të tjera, u fol për problematikat me të cilat po përballet bota e editorisë në Shqipëri, evidentimi i tyre i lidhur edhe me sektorë të tjerë që janë pranë librit, si bibliotekat apo institucionet e arsimit, si edhe gjetja e mekanizmave për përmirësimin e këtyre problematikave.
Gjithashtu, u fol edhe për rëndësinë e lidhjeve dhe bashkëpunimeve që QKLL-ja dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë duhet të kryejnë me institucionet kulturore ndërkombëtare në fushën e librit dhe të letërsisë për mbështetje më të gjerë në fushën e editorisë, të botuesve dhe përkthyesve shqiptarë.
Vlerësojmë rolin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në këto tri dekada në fushën e librit në Shqipëri.