Gjuha është shtëpia ime. Lidija Dimkovska shkrimtarja e njohur nga Maqedonia e Veriut e sheh gjuhën amtare si formën e vetme përmes së cilës mund të shkruajë letërsinë e saj, dhe pse prej vitesh jeton në Slloveni.
“Shkruaj në maqedonisht, flas sllovenisht dhe ëndërroj në rumanisht”, u shpreh ajo në takimin që u mbajt në Tiranatimes në kuadër të Ditës Botërore të Përkthimit, ku dhe u promovua dhe libri i saj në shqip “Kamera e fshehtë”, nën përkthimin e Milena Selimit.
Në aktivitetin e organizuar nga Traduki dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, morën pjesë lexues dhe njerëz të librit, për tu njohur më nga afër me një zë të rëndësishëm të prozës së sotme bashkëkohore ballkanike.
Lidija Dimkovska u lind më 1971, në Shkup, ndërsa nga viti 2001 jeton në Lubjanë të Sllovenisë. Shkruan në gjuhën maqedonase. Ka diplomuar në Katedrën për letërsi të përgjithshme dhe krahasuese në Fakultetin Filologjik në Shkup.
Në Universitetin e Bukureshtit të Rumanisë, ka doktoruar në fushën e letërsisë rumune dhe ka ligjëruar gjuhë maqedonase dhe letërsi.
Ka botuar gjashtë përmbledhje me poezi “Rozhbi od Istok” (Lindjet nga Lindja) 1992; “Ognot na bukvite” (Zjarri i shkronjave) 1994; “Izgrizani nokti” (Thonj të kafshuar) 1998; “Nobel protiv Nobel” (Nobel kundër Nobelit) 2001; “Idealna tezhina” (Pesha ideale) 2008; “pH neutralna za zhivotot i smrtta” (pH neutral për jetën dhe vdekjen) 2009 dhe “Cërno na bello” (E zeza në të bardhë) 2016; tre romane “Skriena kamera” (Kamera e fshehtë) 2004, 2012; “Rezerven zhivot” (Jetë rezerve) 2012, 2013, 2015, 2018; dhe “No-Ui” (No-Ui) 2016, 2018; një ditar amerikan “Otade L” (2018) dhe një përmbledhje të shkurtër tregimesh “Koga zaminav od Karl Libkhneht” (Kur u largova nga Karl Libkneht) 2019 të përkthyera në shumë gjuhë.
Ka fituar çmimin maqedonas për vepër poetike debutuese “Studentski zbor”, dy herë çmimin për prozë “Stale Popov” të Shoqates së Shkrimtarëve të Maqedonisë, çmimin gjerman të poezisë “Hubert Burda”, çmimet rumune “Poesis” dhe “Tudor Argezi”, çmimin evropian të poezisë “Petru Krdu”, etj.