Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi me përkthyesen Ermira Godo, takimin letrar kushtuar sjelljes në gjuhën shqipe të veprës “William Shakespeare” nga Victor Hugo.
Përkthyesja Godo rrëfeu se si gjeneza e përkthimit të kësaj vepre, e vetmja e Hygoit në eseistikë, fillon me dëshirën e gjyshit të saj Abdulla Ramit, i cili e nisi përkthimin e saj gjatë viteve të internimit dhe dorëshkrimet e para të lëna prej tij u takojnë fundit të viteve ’60, pas lirimit nga burgu i Burrelit.
I dëbuar në Gosë të Kavajës, në një shtëpi të zbrazët, në kushte të vështira jetese dhe pa mundur as ta deklaronte punën përkthimore që kish nisur, dorëshkrimet iu ruajtën nga familjarët dhe u rikopjuan vite më pas, për t’u lënë pasardhësve një trashëgimi intelektuale dhe shpirtërore. Me vdekjen e tij të beftë, kjo punë përkthyese mbeti në dorëshkrim në pamundësi të një rishikimi.
Ermira Godo, mbesa e Ramit, na rrëfeu rikthimin te kjo vepër për plotësimin e saj, rishikimin e tekstit, redaktimin e saktësimet e nevojshme, si dhe pajisjen e tij me shënime, për të shpënë në fund një anamet, duke sjellë për herë të parë të botuar në gjuhën shqipe një vepër të rëndësishme studimore që një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë frënge ka shkruar për gjeniun Uilliam Shekspir.