Aktivitete|

Më 27 shkurt në mjediset e Ministrisë së Kulturës QKLL organizoi një takim informues me shkrimtarë, studiues e letrarë të rinj, duke shpalosur platformën e saj për autorët e rinj.

Alda Bardhyli, drejtoresha e QKLL-së e nisi takimin për vëmendjen, që duhet t’i kushtohet brezit të ri. Në fjalën e saj Bardhyli tha se vëmendja ndaj të rinjve do të jetë në fokus të punës të qendrës që ajo drejton. “Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të rishikojë ligjin për librin për të parë raportin e tij me politikën ndaj të rinjve, për të forcuar të gjithë komponentët ligjorë që do t’i jepnin më shumë mundësi të rinjve, përmes krijimit të hapësirave që do të mund të promovonin vlerat më të mira tek ata, por dhe komponentëve që do të sillnin një jetë më aktive të tyret në treg, duke i ndihmuar në një sërë raportesh siç është ai me botuesit”, – tha Bardhyli. Në prani të studiuesve dhe autorëve të ndryshëm, ajo foli për rëndësinë që ka partneriteti me qendra të tjera jashtë, gjë e cila u përkrah nga të pranishmit në këtë takim. “QKLL e ka nisur punën me Qendrën Kombëtare të Librit në Francë, e cila ka konfirmuar asistencën për këtë institucion. Partneritetet me qendrat apo organizatat e ndryshme ndërkombëtare në botë, synojnë krijimin e sa më shumë hapësirave që do t’i japin më shumë mundësi brezit të ri për t’u afirmuar dhe zhvilluar profesionalisht”, nënvizoi Bardhyli. Por shqetësues për shkrimtarët është dhe raporti me botuesit, që lë për të dëshiruar jo pak herë. Për drejtoreshën Alda Bardhyli qendra që ajo drejton do të mbështesë autorët e rinj edhe lidhur me botimet. “Përmes marrëveshjeve të ndryshme me botues shqiptar, QKLL do të krijojë mundësinë e botimit sa më shumë të letërsisë nga autorët e rinj shqiptar, duke mbështetur në një sërë formash realizimin e këtij bashkëpunimi”, pohoi drejtoresha Alda Bardhyli.
Për shkrimtarë dhe studiues Ligji për librin duhet të përmirësohet, për t’i dhënë më shumë vëmendje letërsisë shqipe, duhet më shumë vëmendje për librin. Sipas tyre, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit duhet të funksionojë sipas modelit francez. Jo pak herë është folur për problemet me librin dhe ndihmën që duan autorët në vend, por gjithçka nis nga buxhetet dhe ana ligjore. Të gjendur në këtë situatë autorë të njohur dhe emra të rinj të letërsisë, si dhe studiues të ndryshëm, gjatë takimit të zhvilluar në ministri renditën disa nga problematikat, që hasen sot.

Të pranishëm në këtë takim ishin Ylljet Aliçka, Xhevat Lloshi, Jonila Godole, Agim Baci, Arta Marku, Iva Tiço, Anila Mullahi.

Comments are closed.

Close Search Window