Në kuadër të Tetorit të Librit me moton “Libri afron Botën”, shkrimtari Ag Apolloni dhe botuesja Irena Toçi nga botimet “Toena” ishin në një bisedë me gazetaren Arta Marku përballë nxënësve të gjimnazit “Ismail Qemali”, në mjediset e bibliotekës së këtij gjimnazi, ku diskutuan mbi rolin që ka letërsia, marrëdhënia e ndërsjellë ndërmjet librit dhe lexuesit si një “fill i këputur” siç u shpreh Arta Marku dhe si ky fill mund të forcohet nëpërmjet nxitjes së leximit. Botuesja Toçi dha një panoramë të kësaj marrëdhënieje që pas viteve ’90, në Shqipëri dhe Kosovë, dhe se si botuesit me kalimin e viteve kanë punuar për forcimin e saj, çka ndodhi sidomos përgjatë vitit të pandemisë si një kthim vëmendjeje ndaj librit.
Shkrimtari Ag Apolloni, edhe si botues, foli për mënyrat bashkëkohore që janë menduar sot për ta afruar lexuesin ndaj librit, format e botimit dhe paraqitjes së tij.