Në kuadër të 149-vjetorit të lindjes së Homerit Shqiptar, At Gjergj Fishtës, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar organizuan aktivitetin: “Fishta në letrat shqipe”.
Studiuesi Tonin Çobani foli për teatrin e Fishtës i cili përbëhet nga rreth 40 vepra teatrore, ndër të tjera ai tha: “Heronjtë e Fishtës flasin me një gjuhë të zgjedhur, subjektet i merr biblike, mitologjike dhe nga realiteti i përditshëm duke i ulur këto pranë njëri-tjetrit”.
Studiuesi Kolec Cefa e cilësoi Fishtën si një njeri të jashtëzakonshëm i cili qëndron në majën e lirikës dhe epikës së letrave shqipe dhe që duhet lexuar në gjuhën e tij origjinale pa qenë nevoja të kthehet në gjuhën standarde letrare.
Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, theksoi ndër të tjera se: “Në lidhje me veprën Lahuta e Malcis, Konica do të pohonte që është një vepër të cilën sa do të mundohen vendet fqinje, nuk do ta kenë kurrë. Fishta është një kolos, poet kombëtar. Në këtë përvjetor të ditëlindjes së Fishtës kemi dhe rindërtimin e shtëpisë ku ai ka kaluar fëmijërinë. Shpresoj që me ndihmën e kolegëve muzeologë të fillojë sa më parë muzealizimi i shtëpisë së tij”.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Znj.Alda Bardhyli, tha se: “Fishta është një figurë i cili vijon të na bashkojë duke na treguar përmes leximeve se qëllimi i artit do të jetë përjetësisht i tillë, humanizmi”.