Aktivitete|

Në vijim të takimeve letrare që Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit organizon çdo javë, më dt. 06 mars pranë Qendrës Forum u prezantua libri me tregime “Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë” i autorit Enkelejd Lamaj. Në këtë takim ishin të pranishëm miq të autorit, dashamirës të librit dhe personalitete të fushës së letrave.
Në fjalën e saj të hapjes, drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli, pasi përshëndeti të pranishmit bëri një prezantim të shkurtër të përmbledhjes “Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë” me tregime të thrillerit, fantastikes dhe horrorit. Më pas fjalën e mori shkrimtari Grigor Banushi, një tjetër autor që e lëvron zhanrin e thrillerit dhe horrorit. Ai u shpreh se janë të paktë shkrimtarët në letërsinë shqipe që e lëvrojnë këtë zhanër. “Jam befasuar kur kam lexuar tregimet e Enkelejdit, një djalë i ri dhe shumë i talentuar,”- vijoi më tej ai.
Për krijimtarinë e Lamajt foli edhe gazetarja e kulturës Monika Stafa. Gjatë diskutimit Stafa i drejtoi edhe disa pyetje autorit, duke e bërë bashkëbisedimin edhe më interesant. “ ‘Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë’, është titull shumë i bukur, ndërkohë që ti lëvron zhanrin e thrillerit, pse ky titull?”- ishte një prej pyetjeve gjatë diskutimit me autorin Lamaj. “Unë shkruaj siç më vjen, pa bërë më parë një skaletë nga fillimi deri në fund, siç bëjnë disa autorë, pra shkruaj pa e ditur se çfarë do të ndodhë”- u përgjigj Lamaj.

Comments are closed.

Close Search Window