Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Inspektoriati i Mbikqyrjes së Tregut, u angazhuan sot përmes një Memorandumi Bashkëpunimi në shërbim të mbrojtjes së pronës intelektuale. Memorandumi u firmos sot në hapësirat e QKLL nga Kreu i ISHMT-së Lavdrim Sahitaj dhe Drejtorja e QKLL-së Alda Bardhyli.
-Ky Memorandum Mirëkuptimi rregullon marrëdhëniet midis palëve me qëllimin e zbatimit të projekteve të përbashkëta, të cilat synojnë mbrojtjen e pronësisë intelektuale në fushën e letrave shqip, organizimin e aktiviteteve ndërgjegjesuese për të drejtat e autorit dhe të pronësisë intelektuale.
-Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut do të realizojnë aktivitete të përbashkëta në fushën e mbrojtjes së pronësisë intelektuale në fushën e letrave shqip.
-Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të punojnë së bashku për organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese për të drejtat e autorëve dhe të pronësisë intelektuale për të bërë të mundur ndërgjegjësimin e të gjithë zinxhirit të subjekteve dhe faktorëve në industrinë e librit duke realizuar aktivitete informuese mbi detyrimet ligjore që duhen përmbushur në bazë të Ligjit 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to” si edhe Ligjit Nr. 9616, datë 27.9.2006 “Për Librin në Republikën e Shqipërisë”.
-Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të punojnë ngushtë për të siguruar mbrojtjen e dorëshkrimeve të autorëve dhe përgatitjen e tyre për botim në bazë të legjislacionit përkatës.