U ndanë sot çmimet e edicionit të 25-së të Panairit të Librit
Çmimi Shkrimtari më i mirë i vitit 2022, iu dha shkrimtarit Zija Çela, për romanin “Banka e ankesave”.
“Për rrezatimin e një urtie dhe përvoje të pasur letrare në identifikimin e bjerrjes së shpirtit njerëzor, si dhe tjetërsimit të fytyrës së vdekjes e të dashurisë, në labirintet e një bote që shkon e përfton trajta distopike”.
Çmimi Përkthyesi më i mirë i vitit 2022, iu dha përkthyesit Romeo Çollaku, për përkthimin e romanit “Varfanjaku i Zotit” të shkrimtarit Niko Kazanxaqis.
“Për mjeshtërinë dhe guximin për të sjellë në gjuhën shqipe një vepër komplekse e tejet të ngjeshur, duke ia dalë mbanë me sukses të përcjellë të pacenuar mendimin dhe stilin e autorit, si dhe ngjyrimet e një teksti të shkruar me një gjuhë pasionante, të ndërlikuar dhe fryme mistike”.
Çmimi autori i studimit më të mirë të vitit 2022, iu dha Arben Imamit, për veprën “Tri format e mendimit: Mitologjia, racionaliteti, religjioni”.
“Për kontributin e veçantë dhe origjinal në ndërtimin e një sistemi të formave të mendimit njerëzor, pas një pune studimore, krijuese e të shtrirë në kohë, pas hulumtimeve të thella, të njëpasnjëshme, si dhe për interpretimin origjinal të një sërë konceptesh thelbësore jetike e filozofike, përmes një fraze të saktë, të përpunuar e shkencore”.
Çmimi shkrimtari më i mirë për fëmijë i vitit 2022, iu dha shkrimtares Natasha Shuteriqi Poroçani, për librin “Kalendari i ëndrrave të mollës”.
“Përmes një proze poetike autorja ka ditur të ndërtojë një botë magjike për të miturit. Falë një stili të thjeshtë e elegant, por edhe një gjuhe të pasur e të rrjedhshme, që i shkon për shtat fëmijëve, ajo ia ka dalë mbanë të krijojë një vepër letrare që i jep krahë fantazisë dhe edukon me dashurinë për natyrën e, padyshim, dijen, të lidhura tok me librin dhe leximin”.
Urime fituesve!