Aktivitete, Çmimet Kombëtare të Letërsisë - 2020, Të rejat|

Ndahen Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2019.
 
Në një ceremoni, duke respektuar rregullat ndaj Covid- 19, u ndanë sot “Çmimet Kombëtare të Letërsisë”. Juria, e kryesuar nga poetja Natasha Lako dhe anëtarët: Lindita Arapi, Sadik Bejko, Thoma Jançe, Ermir Nika, vendosi si më poshtë:
 
Romani më i mirë 2019, “Diktatori në kryq”, Mira Meksi
 
Motivacioni: “Për krijimin e vlerave dhe risive origjinale në prozën romanore shqipe, ku ndërthuren mjeshtërisht motivet e një historie besimi në trajektoren e një epoke politike, atmosferën dhe prirjen për rikthim në realitetin që tashmë nuk i përket më”.
 
Përkthimi më i mirë 2019, “Iliada”, Llambro Ruci
 
Motivacioni: “Për prurjen në shqip të një pasurie të madhe gjuhësore, një larmie strukturash poetike, të vargut, të figurës dhe duke i qëndruar besnik narrativës së një mjeshtri si Homeri”.
 
Vepra studimore më e mirë 2019, “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve”, Matteo Mandala
 
Motivacioni: “Një studim që na shfaq një tablo të qartë të prirjeve të albanologjisë së sotme arbëreshe nëpërmjet analizës së Fjalorit të Da Lecce-s, dhe ku arrihet në zbulimin e kuptimeve të zhdukura dhe rindërtimit të strukturave kuptimore të fjalëve dhe zhvillimit të brendshëm të etnonimit të shqiptarëve”.
 
Përmbledhje me tregime më e mirë 2019, “Mikrobus”, Romeo Çollaku
 
Motivacioni: “Për sjelljen e një proze me një gjuhë të çlirët e të nuancuar në ngjyra, e cila vihet në shërbim të emocionit që përcjellin tekstet e tregimeve të tij me situatat dhe personazhet e përshkruara me gjallëri”.
 
Vëllimi poetik më i mirë 2019, “Shtjellë reje, shtjellë zjarri”, Alisa Velaj
 
Motivacioni: Libri sjell vlerë në poezinë bashkëkohore shqipe nëpërmjet frymës ekzistenciale, imazheve dhe meditimit që mbartet midis vargjeve të saj.
 
Letërsia për fëmijë më e mirë 2019, “Kartolina e zileve”, Shkëlzen Zalli
 
Motivacioni: Duke plazmuar majën e përvojave të tij si poet, nëpërmjet lartësimit të fjalës dhe poezisë së tij në nivelin e mjeshtërve të letërsisë për fëmijë.
 
Suksese gjithë krijuesve që pasuruan gjuhën shqipe gjatë vitit 2019
 
Faleminderit aktorëve të Teatrit Kombëtar Ina Gjonçi dhe Dritan Boriçi për interpretimet.

Comments are closed.

Close Search Window