Përkthimi vijon të tregojë se njerëzimi; kulturat kanë nevojë për një komunikim të përhershëm.
Cikli i ri i dialogut me në fokus shqipërimin do të vazhdojë këtë të premte me përkthyeset Lindita Latifi dhe Lorena Dedja, të cilat do të ndajnë me ne ndjesi, ide dhe reflektime mbi artin e përkthimit dhe sfidat e të endurit në gjuhë.
“Përkthyesi është një shkrimtar i privilegjuar që ka mundësinë të rishkruajë kryevepra në gjuhën e tij” – Javier Marías
Lindita Latifi dhe Lorena Dedja ishin të ftuarat e radhës në ciklin e bisedave mbi shqipërimin, që po bën bashkë çdo të premte emra të rinj në lëmin e përkthimit shqip.
Për gjuhën si komunikim dhe bashkëjetesë kulturash; dhe përvojat e jashtëzakonshme të endjes në tekst…
Lindita Latifi ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Dega Gjuhë-Letërsi. Që nga viti 1996 ajo është pedagoge në Departamentin e Gjuhësisë të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, e specializuar në fushën e gramatikës, si dhe është përkthyese nga gjuha turke e disa autorëve klasik dhe bashkëkohorë, ndër të cilët përmendim: “Rënia e gjetheve”, “Sëmundja e vjetër”, “Nata e zjarrit” dhe “Mulliri” nga Reşat Nuri Güntekin, “Jashari as jeton e as nuk jeton” dhe “Libri i festimeve” nga Aziz Nesin, “Salloni i dasmave Shamps-Elize” nga Tarık Tufan, “Të krijosh një njeri” nga Necip Fazil Kısakürek, “Grataçela” nga Tahsin Yücel, “Abdylhamid II, sultani i fundit i një epoke” nga Vahdettin Engin etj.
Lorena Dedja ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Dega Gjuhë Franceze dhe ështe pedagoge titullare e lëndëve Qytetërim francez, Sintaksë frënge, Gjuhë praktike frënge, Tipologji teksture, Gjuhë e shkruar frënge, Letërsi frënge (teatri), Letërsi dhe kulturë frënge, Histori e Francës, si dhe është hartuese e parë e programit të lëndës “Metodologji e punës universitare”. Është gjithashtu përkthyese e disa veprave nga gjuha frënge, ndër të cilat përmendim “Imoralisti” nga André Gide, “E doja” nga Anna Gavalda, “Sulejmani i Madhërishëm” nga André Clot, “Rojtari i fundit” nga Josse Gaëlle, “Çmondializimi” nga Jacques Sapir, “Sytë e verdhë të krokodilëve” nga Kathérine Pancol, “Papijon” nga Henri Charrière etj.