Aktivitete, Të rejat|

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Muzeu Historik Kombëtar organizuan në kuadër të Ditës Botërore të Librit për Fëmijë, forumin “Letërsia për fëmijë, sfidat e leximit”, në të cilin qenë të ftuar shkrimtarët e letërsisë për fëmijë Adelina Mamaqi, Sazan Goliku, Rovena Rrozhani dhe Riza Braholli, si dhe botueset Rita Petro dhe Anila Bisha, të cilat i kanë dhënë një kontribut letërsisë me botimin e autorëve shqiptar dhe të huaj në letërsinë për fëmijë.
Zonja Alda Bardhyli dhe Zoti Dorian Koçi si organizues të këtij aktiviteti shprehën rëndësinë që ka letërsia për fëmijë dhe interesin për promovimin e saj, duke kujtuar fondet mbështetëse që QKLL-ja akordoi gjatë vitit të kaluar për mbështetjen e shkrimtarëve shqiptar.
Gjithashtu, në këtë aktivitet shkrimtarët Adelina Mamaqi, Sazan Goliku dhe Rovena Rrozhani vlerësuan vëmendjen e institucioneve ndaj kësaj letërsie dhe nismën e QKLL-së, ndërsa zonjat Petro dhe Bisha theksuan edhe nevojën e një vijimësie në politikat mbështetëse ndaj autorëve shqiptar që shkruajnë letërsi për fëmijë.

Comments are closed.

Close Search Window