Përkthyeset Marsela Likaj, Anna Kove dhe studiuesja Anila Mullahi, diskutuan sot në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, në kuadër të Tetorit gjerman ; rreth letërsisë gjermane të përkthyer në shqip, përkthimeve të kësaj letërsie në periodikë të viteve ’20-’40, nivelin e njohjes së letërsisë dhe gjuhës nga studiuesit, përkthyesit, si dhe lexuesit shqiptarë. Gëte, Shiler dhe Hajne janë ndër shkrimtarët më të përkthyer në shqip në gjysmën e parë të shekullit XX.
Përkthimet e para të krijimeve të tyre i gjejmë që në vitin 1915, të cilat do të ndiqen nga një numër i madh sprovash të tjera përkthimore. Kjo prani, tregon edhe për nivelin e lartë të vlerësimit dhe receptimit ndaj letërsisë gjermane.
Një vëmendje e veçantë në diskutim iu kushtua shkrimtares Herta Müller dhe letërsinë së saj, letërsi e cila rrëfen tmerret e diktaturës, ndjenjën mizore të spiunimit të vazhdueshëm dhe mungesën e lirisë së shprehjes, frikën për të lëvizur, për të folur, për t’i besuar njëri-tjetrit. Në romanet e saj, përveç prapambetjes së shoqërisë rumune, një vështrim i veçantë i kushtohet gjendjes së grave dhe jetës së tyre në fabrikë.
Aktiviteti u moderua nga Anxhela Lepuri.