Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, konferencën me temë “Gjuha, Shoqëria, e Ardhmja” në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, me pjesëmarrjen e gjuhëtarëve të shquar Prof. Dr. Xhevat Lloshi, Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, Prof. Dr. Anila Omari, Prof. Dr. Mimoza Kore, Prof. Dr. Linda Mëniku, si edhe studiuesve Ben Andoni dhe Mimoza Ahmeti.
Ndër të tjera, profesor Gjovalin Shkurtaj u shpreh: “ Ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës shqipe letrare nuk është censurë, por detyrim zyrtar për secilin institucion që shkruan e boton. Kjo duhet bërë sidomos në titujt e gazetave e revistave, në përkthimet me shkrim të filmave, në reklamat e faqet popullarizuese etj. Ne duhet patjetër të krijojmë së paku një akademi, një komision a grup pune pikërisht për mbrojtjen e gjuhës”.
Profesor Xhevat Lloshi shprehu po ashtu shqetësimin e tij mbi perceptimet e gabuara që hasen tek individët në lidhje me gjuhën, duke shprehur pikëpamjet e tyre kulturore që copëzojnë klimën e përbashkët marrëdhëniore, duke e cilësuar “tjetrin” si “i huaji” nëpërmjet gjuhës që flet, duke ngatërruar konceptet sociale me ato gjuhësore nëpërmjet veçimit që i bën në ligjërim faktit të pranisë së një gjuhe standarde, dialektore apo të folmeve të ndryshme në trevat shqiptare.
Edhe në fjalët e mëpasshme të profesoreshave Anila Omari, Mimoza Kore apo Linda Mëniku, problemet që shtrohen janë ato të keqpërdorimit të gjuhës shqipe, të shkrimit të saj, të konceptimeve të gabuara semantike, sintaksore apo edhe të dijenisë kulturore mbi gjuhën amë. Po ashtu, studiuesit Ben Andoni dhe Mimoza Ahmeti shprehën pikëpamjet e tyre për nxjerrjen në pah të vlerave që ka gjuha shqipe dhe kujdesin që duhet të kenë institucionet kundrejt saj.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1999, në përkujtim të protestave të studentëve të Universitetit Dhaka, me origjinë nga Bengali, të cilët u konfrontuan me policinë pakistaneze, për të mbrojtur gjuhën bengaleze si gjuhën e tyre zyrtare.
Në këtë datë, vendet anëtare të OKB-së organizojnë tubime ndërgjegjësuese, në mbrojtje të diversitetit gjuhësor e kulturor të gjuhës amtare.