“Kënga, qysh në agimet e historisë njerëzore, ka qenë mjet i mësimit, i ruajtjes dhe i përhapjes së gjuhës amtare. Këtë rol e ka edhe kënga e sotme shqiptare, kënga e të rinjve dhe e të rejave, prandaj, edhe si gjuhëtar më bëhet zemra mal kur dëgjoj kantautorë që këndojnë bukur, që sjellin tekste këngësh fjalëbukura, që kanë pasuri e larmi shprehjeje dhe që, duke dëgjuar e shijuar këngën e tyre, njerëzit përthithin edhe njomështinë e gjuhës amtare”.
Prof. Gjovalin Shkurtaj.
“Kënga si mjet për ruajtjen e shqipes në shekuj” është studimi më i ri nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, me autor prof. Gjovalin Shkurtaj, studim i cili u promovua sot në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, në kuadër të “Tetorit të Librit”, mes studiuesve, akademikëve, profesorëve e të rinjve. Ideja dhe synimet e këtij libri lidhen me një mëtim të thjeshtë, por të rëndësishëm e me vlerë kombëtare, me nxjerrjen në pah të vlerave etnokulturore të shqiptarëve, të pranisë së tyre të hershme në Europë dhe të rolit të tyre kulturëbërës në mjedisin botëror të sotëm, duke u nisur nga pasuria ligjërimore e mishëruar edhe në krijimtarinë gojore të tij, sidomos në këngët popullore.