Aktivitete, Të rejat|

“Sa herë hyn ajo në shtëpi
po më duket se po e shoh
gruan e ëndrrave të mia
e po më dhimbsen
banorët e qytetit të vogël
sepse sa herë ajo hyn
brenda shtëpisë së saj
dhe e mbyll derën
jashtë bën ftohtë”
Xhevdet Bajraj
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ambasada e Kosovës në Shqipëri organizuan në mjediset e Ambasadës takimin “Fishkëllimat e vdekjes” në kujtim të figurës së poetit Xhevdet Bajraj, një prej figurave më të rëndësishme letrare në poezinë shqipe të Kosovës.
Në këtë mbrëmje letrare mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse Ambasadori Skënder Durmishi dhe Drejtoresha e QKLL-së zonja Alda Bardhyli, të cilët vlerësuan figurën dhe kontributin e Xhevdet Bajrajt. Të ftuar ishin zoti Bujar Hudhri i cili rrëfeu ndër të tjera projektin e tij si botues për botimin në Shqipëri të Xhevdet Bajrajt, zonja Mimoza Ahmeti dhe zonja Elsa Skënderi-Rakipllari të cilat shfaqën disa këndvështrime mbi poetikën dhe tematikën e Bajrajt.
Gjithashtu të ftuar ishin edhe miq e studiues nga Kosova të poetit, si shkrimtari dhe poeti Halil Matoshi dhe Anton Berisha, të cilët folën për dimensionin njerëzor të poetit, përvojat e tyre miqësore për të shpjeguar frymën e poezive të tij ku mbizotëronte natyra dhe nocionet e hapësirës dhe shpirtit.

Comments are closed.

Close Search Window