Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në 110-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Petro Marko çelën të premten, më datë 22 dhjetor, ekspozitën “Petro Marko – 110-vjetori i lindjes”, me pjesëmarrjen e familjarëve të shkrimtarit, studiuesve, shkrimtarëve, përkthyesve, dashamirësve të kulturës etj.
Drejtori i BKSH-së, z. Piro Misha, dhe drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Alda Bardhyli, duke vlerësuar personalitetin e letrave shqipe, vunë theksin në rëndësinë e veprimtarive të tilla si “forma më e mirë për të kujtuar dhe përcjellë te brezat e rinj gjurmën dhe trashëgiminë e personaliteteve që përbëjnë panteonin e kulturës shqiptare”. Veprimtarinë e përshëndetën edhe shkrimtarja Diana Çuli, studiuesi Behar Gjoka, si dhe vajza shkrimtarit Arianita Marko, të cilët ndanë me të pranishmit vlerësimet dhe kujtimet për shkrimtarin.
Petro Marko konsiderohet së një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letrave shqipe, i cili ka lënë një trashëgimi të pasur në botime me poezi, tregime, romane, drama, publicistikë, kujtime etj. Botimet e para të krijimtarisë së tij nisim me gazetat dhe revistat e viteve ’30, si: “Illyria”, “Demokratia”, “ABC”, “Bota e re” apo “Shqipëri e re”, për të vijuar më pas në botimet e veprave të tij.