Në Ditën Botërore të Përkthimit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një simpozium me pjesëmarrjen e emrave të njohur të përkthimit në vend, me titullin “Kufijtë dhe gjuha”, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.
Në fjalën e saj, Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, foli për nisjen e punës nga ana e QKLL-së, për të ngritur Urdhrin e Përkthyesit, një hapësirë që do të bëjë bashkë shqipëruesit, por do të ketë një rol rregullator në raportet mes përkthyesve dhe botuesve, apo lexuesit, duke i dhënë një status përkthyesit shqiptar.
“Ngritja e këtij Urdhri është një lajm i mirë për të gjithë përkthyesit shqiptarë, që deri tani janë të veçuar nga njëri-tjetri, e do të shërbejë për të folur më shumë për problemet e përkthimit”, u shpreh Edmond Tupja.
Në fjalën përshëndetëse, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, solli në vëmendje emra të njohur të përkthimit si Fan Noli, Gjergj Fishta dhe mundësinë e krijimit në Muzeun Kombëtar të këndeve kushtuar përkthyesve të njohur si Mitrush Kuteli, apo Vedat Kokona.