Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi sot, në mjediset e saj seminarin me titull “BIBLIOTEKA LUNDRUESE: Libri për fëmijë mes letrës dhe virtualitetit”, kushtuar letërsisë për fëmijë, përballjes së kësaj letërsie me virtualitetin, si dhe hapja e këtyre diskutimeve në lidhje me problematikat që shfaqen në këtë letërsi, çka përfshin jo vetëm shkrimtarët, por edhe lexuesit e vegjël, një target grup i një rëndësie të veçantë, duke qenë se përfaqësojnë brezin e ri që do të rritet.
Shkrimtaret Adelina Mamaqi dhe Natasha Poroçani Shuteriqi, shkrimtari Gaqo Bushaka, botuesit Petrit Ymeri, Anila Bisha, Riza Braholli në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Letërsisë për Fëmijë, zonjat Marsela Haxhimusai, Anila Mullahi, si dhe Manjola Zaçellari, si pedagoge e lëndës së Gjuhës në Universitetin e Durrësit dhe pjesë e bordit të rekomandimit të letërsisë artistike në Ministrinë e Arsimit, shtruan disa nga problematikat që hasen në lëmin e letërsisë për fëmijë, duke nisur nga gjuha dhe problemet e lidhura me të, pamundësia apo vështirësitë në botimin e kësaj letërsie, mungesa e një reviste për fëmijë, mungesa e vëmendjes së autorit shqiptar përballë autorit të huaj e deri te hapësirat promovuese të kësaj letërsie në shkolla apo më gjerë.