Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi në ambientet e saj aktivitetin për nder të shkrimtarit Zija Çela në 75-vjetorin e lindjes së tij. Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, shprehu vlerësimet e saja për shkrimtarin dhe kontributin e tij në letrat shqipe, ndërsa botuesja Irena Toçi u shpreh se ka qenë me fat të botonte veprat e tij. Miq të shkrimtarit ndanë kujtimet e tyre, ndërsa artisti Saimir Strati, disa herë fitues i çmimit “Guines”, ndau me ne dhuratën e tij të veçantë në këtë përvjetor.
Zija Çela lindi më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Megjithëse kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë, arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për Letërsi. Në atë kohë, u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit. Në këtë qytet të vogël verior punoi për shumë vite dhe, kur ishte bërë i njohur me librat e tij, e transferuan në kryeqytet. Në Tiranë punoi redaktor në revistën letrare “Nëntori”, ndërsa nga 1984 –1990 punoi si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”.
Në vitet ’90 kjo gazetë luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen intelektuale për përmbysjen e sistemit totalitar. Me vendosjen e pluralizmit, Zija Çela u bë drejtor i shtëpisë botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me botimin e romanit “Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që ishte ndaluar nga regjimi i mëparshëm. Në vitin 2000 qe kryeredaktor i të përjavshmes “Albania e vogël”, suplement letrar i gazetës së përditshme “Albania”. Njëkohësisht që nga viti 2000 Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë.
Si autor u bë i njohur shpejt nga librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili per realizmin e fortë dhe modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së socrealizmit. Autori është fitues i disa çmimeve letrare dhe ndër më të vlerësuarit për prozën e tij.