Aktivitete, Të rejat|

“Këtë muaj të historisë afro-amerikane, Departamenti i Shtetit i SHBA-së nderon historinë dhe arritjet e afro-amerikanëve dhe feston kontributin e tyre në diplomacinë amerikane. Ne mbetemi të përkushtuar për të përmbushur premtimin e një kombi, e një bote, ku të gjithë njerëzit trajtohen në mënyrë të barabartë”, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Në fund të një muaji nderimi ndaj historisë dhe kontributit të afro-amerikanëve, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit i dedikoi një aktivitet të veçantë letërsisë së madhe afrikano-amerikane, e cila vijon të jetë frymëzim ende në shekullin XXI, në kuadër të aktiviteve nën moton #Shqipërialexon dhe #Lexomemua.
Të nderuar të kishim të pranishme në këtë aktivitet, ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, zonjën Yuri Kim, e cila përballë studentëve të Fakultetit të Letërsisë dhe Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, si dhe autorëve të rinj shqiptarë, foli për vlerat universale të kësaj letërsie.
Ambasadorja Kim zgjodhi të lexojë për të rinjtë poezinë “Still I rise” (Përsëri ngrihem), nga Maya Angelou.
“Letërsia gjithnjë ka shërbyer për të emancipuar dhe bërë më të bukur botën njerëzore. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka si mision të tregojë rëndësinë që ka libri në edukimin e një shoqërie”, tha drejtorja e QKLL-së Alda Bardhyli.
Studentët lexuan vargje dhe pjesë nga autorë si Toni Morrison, Langston Hughes, Amanda Gordman, James Baldwin, Gwendolyn Brooks, Robert Hayden, etj.

Comments are closed.

Close Search Window