Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi në mjediset e saj aktivitetin kushtuar 115- vjetorit të Mitrush Kutelit. Ky aktivitet u organizua në vijimësi të shpalljes së vitit 2022 nga Bashkia e Pogradecit dhe nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë si viti i Kutelit.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Drejtoresha e QKLL-së znj. Alda Bardhyli e vlerësoi Kutelin si një mjeshtër të gjuhës shqipe, një personalitet kompleksi, i cili ende nuk është shpalosur në dimensionin e kontributit të tij të plotë nga studimet tona.
Ana Pekmezi, mbesa e Kutelit, edhe pse nuk e ka njohur vetë të gjyshin, rrëfen se e ka njohur atë jo vetëm nëpërmjet veprës së shkruar, por edhe përmes rrëfimeve të shumta të familjes. Ndër të tjera, ajo na rrëfen për një ekzemplar të gjetur midis librave të të atit, libri “Fshati im e pi rakinë” i vitit 1943, botuar falë mbështetjes financiare të Ana Zaharias, tezes së Anës, në faqen e parë të së cilës Mitrush Kuteli ka shkruar edhe kushtimin: “Gospozhicës Ana Zaharia ot Struga që më ndihmoj të dalë më shpejt kjo librë e vogël. M. Kuteli”.
Shkrimtari Ylljet Aliçka foli ndër të tjera për elementin artistik të epërm dhe emancipues në veprën e Mitrush Kutelit si dhe mundësinë për të qenë kjo vepër e përkthyeshme pa i humbur ngjyrat që mbart. Duke folur për tregimin “Vjeshta e Xheladin Beut” si një ndër më të arrirët dhe të pëlqyerit e letërsisë shqipe për nga elementet gjuhësore dhe narrative, Aliçka tha se “Ky tregim duhet parë si një model i ndjekur dhe që është marrë nga shumë shkrimtarë të mëpasshëm të letërsisë moderne shqipe, duke nisur që nga Ismail Kadare, i cili romanin “Viti i mbrapshtë” e ka shkruar në frymën e “Xheladin Beut”. Studiuesi Behar Gjoka shprehet se “Kuteli është një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letrave shqipe pas Luftës së Dytë Botërore, me magjinë e fjalës në veprat e tij, tematikën dhe krijimin e një larmie zhanresh. Problemi me Kutelin është se ka mbetur brenda gardhit të letërsisë shqipe, pa iu hapur një publiku më të gjerë, të huaj”.
Poetja Mimoza Ahmeti flet për konceptin e referencës te Kuteli si shkrimtar dhe intelektual, vepra e tij e ndikuar nga realiteti i jetuar, nga profesioni dhe ndikimi i shkollimit të tij si ekonomist. “Mbyllja në vetvete, izolimi dhe kthimi te rrënjët, te gjuha dhe atdheu i vet, e ka përvijuar profilin e tij si shkrimtar, si një njeri që i ka pasur duart në rrënjët e sistemit, duke e njohur atë më mirë se kushdo, ndaj edhe duke e rrëfyer më mirë se ç’do të mundte dikush tjetër”. Studiuesja dhe profesoresha Lili Sula foli për rëndësinë e veprës së Kutelit dhe për nevojën që kjo vepër të rimerret nga katedrat letrare dhe, duke e cilësuar veprën e Kutelit si të keqintepretuar nga censura e kohës kur ajo u botua, të ripropozohet në kurrikulat universitare duke u zhveshur nga analiza e bërë që në sistemin e kaluar për t’u rishfaqur ndryshe, reale, edhe pse kjo ngjet ende pak e vështirë. Prof. Sula përmendi po ashtu edhe rëndësinë e Kutelit si eseist dhe kritik letrar.
Studiuesi Ben Andoni foli për mënyrën se si trajtohen shkrimtarët në Shqipëri, duke iu referuar asaj që ai e quajti “ekologji urbane”, pra sensi i ndërveprimit të shtresave të ndryshme shoqërore në një kontekst kulturor. Kuteli është ndër të rrallët shkrimtarë shqiptarë që ka ditur ta japë këtë nëpërmjet veprës së tij. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, z. Eduart Makri foli për veprën e Kutelit në syrin e kineastit, mundësia që të jep Kuteli nëpërmjet gjuhës dhe rrëfimit për ta parë veprën të realizueshme si film. Moskohësia dhe drama ekzistenciale e qenies njerëzore të vepra “E madhe është gjëma e mëkatit” është për z. Makri një nga veprat më të arrira të Kutelit, që ende vazhdon ta dojë duke e konsideruar për realizimin e saj në kinema. Po ashtu edhe shkrimtarja Vera Bekteshi, shkrimtari Zimo Krutaj dhe studiuesi Leka Ndoja folën për rolin e gjuhës së Kutelit dhe gurit të themelit që ai ka vënë në letrat bashkëkohore shqipe.