Aktivitete, Të rejat|

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi sot në mjediset e saj një aktivitet kujtese në nderim të shkrimtarit të letërsisë për fëmijë Odhise Grillo me rastin e 90-vjetorit të tij të lindjes. Odhise Grillo është një ndër penat më përfaqësuese dhe gur themeli i letërsisë për fëmijë në Shqipëri, që prej botimit të tij të parë “Shtatë ngjyrat” më 1954 e gjer në botimin e fundit “Mollëkuqja e fëmijërisë” më 2001. Për kontributin e tij, ai është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Drejtoresha e QKLL-së, znj. Alda Bardhyli e kujtoi Odhise Grillon nëpërmjet kujtimeve të saj, duke veçuar erudicionin e tij, kulturën dhe një veti të panjohur të shkrimtarit, atë të koleksionistit të botimeve letrare, në libra e revista letrare dhe, ndër të tjera, zonja Bardhyli u shpreh se në bashkëbisedim me të bijën e shkrimtarit, kanë rënë dakord që një pjesë e Bibliotekës së tij me koleksione të vyra t’i dhurohet Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Të ftuar ishin gjithashtu shkrimtarët e letërsisë për fëmijë z. Xhahid Bushati, z. Pandeli Koçi, z. Gaqo Bushaka, z. Ben Andoni, z. Riza Braholli në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës së Letërsisë për Fëmijë, shkrimtarja Diana Çuli, botuesja Irena Toçi, botuese e veprës së plotë të Odhise Grillos, botuesja Anila Bisha, shkrimtarja Rovena Rrozhani, të cilët e kujtuan figurën e tij nëpërmjet kujtimeve dhe vlerësimeve për letërsinë me të cilit ata u rritën dhe vazhdojnë të rritin brezat në vazhdim.

Comments are closed.

Close Search Window