|

#_LOCATIONMAP

Date/Time
Date(s) - 26/02/2020
12:00 am

Categories No Categories


Çdo javë Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit do t’i kushtojë një hapësirë krijimtarisë së një autori. Takimi i parë që u organizua më 26 shkurt pranë Qendrës Forum iu kushtua krijimtarisë së poetit dhe prozatorit Rudolf Marku, një autor i spikatur në letrat shqipe pas viteve 80-të.
“Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit do të vijë çdo javë me takime me autorë shqiptarë. Ky takim do të pasojë me takime të tjera, të cilat kanë si qëllim kryesor afrimin me lexuesit.”,- u shpreh drejtoresha e QKLL në fjalën e saj të hapjes.
Takimi u zhvillua në formën e bashkëbisedimit midis miqve të librit dhe autorit, si Preç Zogaj, Natasha Lako, Diana Çuli, Flutura Açka, Vera Bekteshi, etj., duke e risjellë në vëmendje krijimtarinë e Rudolf Markut, një udhëtim pas në kohë dhe krijimtarinë e tij në përgjithësi.
Gjatë bisedës autori i mëshoi fort faktit se letërsia shqipe është një letërsi e mirë, e mrekullueshme, por është një letërsi “silent”. Pra letërsia shqipe duhet të prezantohet.
Ai u shpreh se së shpejti do të botojë një revistë kulturore në Angli. “Do të botoj një revistë kulturore në Angli, ku do të ketë letërsi ‘fiction’, kritikë letrare, review, dhe do të jetë kryesisht për letërsinë që shkruhet sot. Unë do të përpiqem me kontributin tim modest që të krijoj një revistë dhe kjo është një ftesë për të gjithë letërsinë më të mirë tonën, të cilën mendoj që ne kemi nevojë ta prezantojmë. Ajo do të botohet në dy gjuhë”,- vijoi më tej Marku.
“QKLL do t’i japë një status autorit shqiptar, duke promovuar e mbështetur vlerat tona më të mira”, – u shpreh drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli.
Gjatë takimit, z. Preç Zogaj lexoi një poezi shkëputur nga libri që Marku do të botojë së shpejti me titull “Rrathë të brendashkruar”. “Rudolfi ka krijuar ca karakteristika të poezisë së tij që prej fillimit. Poezia e tij ka një gjeografi të tillë që rrok gjithë planetin. Bashkë me këtë hapësirë është edhe thellësia e shpirtit,”- u shpreh ai.
Për krijimtarinë e Rudolf Markut folën gjithashtu poetja Natasha Lako, Diana Çuli, Flutura Açka e Vera Bekteshi.

Comments are closed.

Close Search Window