Konferenca|

#_LOCATIONMAP

Date/Time
Date(s) - 02/03/2020
11:00 am - 1:00 pm

Categories


Me rastin e 75-vjetorit të lindjes së poetit Xhevahir Spahiu, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Komisionin e Artit dhe Trashëgimisë dhe Ministrinë e Kulturës organizuan një veprimtari shkencore e jubilare “Xhevahir Spahiu – shenja e një breznie”. Aktiviteti i organizuar më 02 mars 2020, pranë mjediseve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mblodhi studiues, autorë të letërsisë, miq dhe familjarë të poetit.

Shkrimtarët dhe studiues të ndryshëm vlerësuan kontributin e madh përmes krijimtarisë së tij në letrat shqipe, ndërsa Ministria e Kulturës i dorëzoi një certifikatë “Mirënjohje” poetit të njohur. Në fjalën e tij të hapjes, Sekretari Shkencor i ASH, akademiku Shaban Sinani u shpreh se poeti Xhevahir Spahiu nuk bëri lëshime me fjalën për të lehtësuar fatin e tij. “Xhevahir Spahiu është poet i sprovave të mëdha. Krijoi dhe imponoi individualitetin e tij në një kohë kur uni ishte i rrezikshëm. Nuk bëri lëshime me fjalën për të lehtësuar fatin vetjak. Priti goditjet e fatit pa iu ankuar askujt, duke i shtuar dukurisë së prometeizmit në letërsinë shqipe, për të cilën flasin studiuesit, një përmasë të re. Duroi indiferencën dhe komplotin e heshtjes, duroi sprapsjen dhe burgun e fjalës. Protestoi kundër lirisë së gënjeshtërt dhe iu përgjigj me një cikël poezish egërsisë kriminale të vitit 1997, kur shkrimtarët dhe akademikët thirrën me dhimbje: Goditën Lorkën e Shqipërisë! Qëndroi vertikalisht në të gjitha kohërat”, u shpreh akademik Sinani. Kryetari i ASH, akademiku Skënder Gjinushi, në veprimtarinë shkencore dhe jubilare për 75-vjetorin e poetit dhe akademikut tha se nëpërmjet një pune krijuese 60-vjeçare, Xhevahir Spahiu mbajti mbi supe peshën e rëndë të të qenit kryeshenjë e një breznie. “Kryeshenjat nuk vijnë për nevojë të disa lexuesve, shijeve a si rrjedhojë kalimtare, ato janë urdhërime të kohës. Këtë mision nuk e kryejnë thjesht të talentuarit, por të mbitalentuarit, kur brezi yt, që ti përfaqëson, hyri në jetën letrare shqiptare, një brez tjetër, ai i viteve ‘60, me Kadarenë, Agollin, Arapin, Qiriazin etj., kishin krijuar tashmë një shkëlqim të ri për letrat shqipe, i cili, shkaktonte një eklips të mundimshëm për gjithkënd, ndërkohë Camaj në Perëndim, Shkreli e Podrimja në Kosovë kërkonin hisen e tyre të diellit”,- tha mes të tjerave akademiku Skënder Gjinushi.

Poeti Bardhyl Londo duke vlerësuar krijimtarinë e Xhevahir Spahiut ndër vite, tha se letërsia e viteve ’60 bëri një hov cilësor. “Ti je shenja e një breznie, madje ti je prijësi i një breznie. Në vitet ‘60 shpërtheu letërsia shqipe me emrat e mëdhenj. Por kjo letërsi bën hov cilësor jo vetëm në letërsinë shqipe, por në të gjithë kulturën shqiptare”, pohoi mes të tjerave poeti Bardhyl Londo. Për studiuesin dhe akademikun Ali Aliu poeti Xhevahir Spahiu është një nga autorët e mëdhenj të krijimtarisë, i rrallë me veprën e tij. “Është poet kudo dhe kurdoherë. Është në rrugë, në kafe, në të njohur dhe të panjohur, është poeti i madh, është liriku më ekspresiv. Xhevahir Spahiu ia di shpirtin fjalës, është poet që ndjen fuqinë çudibërëse të saj. Është nga më të rrallët, është poet i madh”, u shpreh akademiku Ali Aliu.

Në veprimtarinë shkencore dhe jubilare, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit Alda Bardhyli tha se në qendrën që ajo drejton, poeti Xhevahir Spahiu do të jetë më i përfaqësuar. “Poetët jetojnë gjithnjë më shumë për botën sesa për vete. Ai është sot përfaqësuesi më i mirë i botës e gjuhës sonë. Duke dashur që të ketë më shumë studime mbi atë çfarë poezia e Spahiut i ka sjellë historisë së letërsisë shqipe, duke u ndalur dhe në mënyrën se si shtrati i poezisë së tij është shtjelluar vitet e fundit, do doja ta mbyllja këtë përshëndetje me disa vargje që më pëlqejnë më shumë, duke besuar se me ngritjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit autori shqiptar do të jetë më i përfaqësuar”, tha Bardhyli.

Për paraqitjen e kontributeve origjinale letrare dhe të meritave qytetare të poetit foli edhe Studiuesi i letërsisë Arian Leka.
Një ekspozitë retrospektive e botimeve të shkrimtarit u hap në Akademinë e Shkencave, ndërsa gjatë këtij aktiviteti aktorët Ledian Gjeçi dhe Erjona Kakeli të shoqëruar në piano nga Ardita Bufaj, recituan nga krijimtaria e poetit Xhevahir Spahiu.

Comments are closed.

Close Search Window