Aktivitete, Të rejat|

Varg Festival ndaloi mbrëmjen e 22 gushtit në Kalanë e Porto Palermos.

Aktiviteti “Porto Palermo tjetër-nga kamp, në përkujtim”, organizuar në Porto Palermo, nga Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Bashkinë Himarë, me rastin e Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare nxori në pah edhe një fakt që deri më tani ka mbetur në errësirë; kalaja ka funksionuar si kamp internimi në vitet 1949-1950.

Në këtë veprimtari morën pjesë të mbijetuar të kampit të Porto Palermos, përfaqësues të Shoqatës Kombëtare Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, drejtues të institucioneve të pavarura, përfaqësues të qeverisjes vendore nga bashkitë Himarë, Sarandë dhe Konispol dhe qytetarë.

Në takimin me në fokus kujtesën përshëndetën kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, znj. Genta Sula, drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Alda Bardhyli, kryetari i Shoqatës Kombëtare Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, z. Ethem Fezollari, si edhe treguan dëshmitë e tyre nga jeta në kampin-burg të Porto Palermos z. Lek Pervizi, z. Lek Mirakaj, z. Dine Dine, z. Bibjan Mirakaj dhe znj. Rudina (Dema) Mane.

Ajo pjesë e pathënë për historinë e viteve 1949-1950 kur kalaja shërbeu si kamp burg për gra, burra e fëmijë, doli në dritë edhe përmes poezive të shkëputura nga libri: “Porto Palermo fjalë guri dhe poezi të tjera” të shkrimtarit Luan Rama, interpretuar bukur nga aktorët Dritan Boriçi dhe Kudret Alikaj.

Aktiviteti do të vijojë edhe sot në kuadër të 23 gushtit, Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, të përcaktuar nga Parlamenti Evropian, KE dhe Këshilli i Evropës, ku për të nderuar dinjitetin njerëzor të viktimave të totalitarizmit është hapur edhe një ekspozitë me portretet e ish- të burgosurve të Porto Palermos.

Comments are closed.

Close Search Window