Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në bashkëpunim me botimet OMBRA GVG dhe me Ambasadën Franceze në Shqipëri, organizuan në ambientet e QKLL-së takimin “Rikthimi i Bovarisë”, kushtuar botimit të veprës së Gustav Flober, “Zonja Bovari”, në një përkthim të ri nga Çlirim Gega, plotësuar me gjyqin që u mbajt ndaj kësaj vepre. Botuesi i veprës, zoti Gëzim Tafa, shprehu rëndësinë që ka ripërkthimi si një akt i domosdoshëm që lidhet me zhvillimin e gjuhës, kujdesi që është shfaqur ndaj kësaj kryevepre dhe shtojca që pëmban procesin gjyqësor.
Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, u shpreh për mbështetjen që ky institucion, në bashkëpunim me Ambasadën Franceze, po japin ndaj sjelljes së këtyre veprave të rëndësishme të letërsisë frënge në gjuhë shqipe dhe projektet që do të vazhdojnë në mbështetje të botuesve.
Të ftuar në aktivitet, që folën rreth kësaj vepre dhe rëndësisë së saj, ishin edhe botuesi Petrit Ymeri, shkrimtarët Besnik Mustafaj dhe Mimoza Ahmeti, si dhe studiuesja Anila Mullahi. Të pranishëm të veçantë në aktivitet ishin edhe studentë të Fakultetit të Gjuhë-Letërsisë.