Ambasada e Francës në Tiranë organizoi konferencën e Akademikut Artan Fuga “Ideologjitë dhe propaganda autoritare në Shqipëri: përqasje në antropologji strukturore”, në Shtëpinë e Europës, në vijim të botimit në Francë nga botimet Non Lieu, të veprës së tij me të njëjtin titull: “Une anthropologie de la propagande totalitaire – le cas albanais”.
Përkthimi i kësaj vepre në gjuhën frënge, nga përkthyesja Nadia Jurzac, është mbështetur nga programi i ndihmës për botim që ekziston midis Qendrës së Librit dhe Leximit dhe Ambasadës së Francës në Shqipëri, i cili mbështet botimin e autorëve frankofonë në gjuhën shqipe si edhe botimin e autorëve shqiptarë në Francë.
Akademiku Artan Fuga solli, nën moderimin e Anisa Ymerit, para auditorit, të shumtë në numër, vendas dhe të huaj, një reflektim mbi shënjimin që propaganda totalitare i bën shekullit XX, duke analizuar në detaje historinë, përpjekjet ideologjike, mënyrat e manipulimit, infrastrukturën, boshtet kryesore terminologjike, gjuhën, simbolikën, aktorët e propagandës totalitare në Shqipëri si edhe hodhi hipoteza te reja në lëmin e shkencave sociale dhe përqasjeve ndërdisiplinare ku ato duhet të konvergojnë.