Lediani është një penë që premton dhe nuk është aspak rastësi që pas disa sprovave të para interesante dhe inkurajuese në dramaturgji, ai vjen sërish me këtë tekst të ri dramatik, komedinë e zezë, “Pak pakt”, që fitoi çmimin e parë në zhanrin e dramaturgjisë në konkursin e organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për vitin 2021.
Arben KUMBARO-regjisor
Ledian Gjeçi, fituesi i Programit për mbështetjen e të rinjve 2021 nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në zhanrin e dramaturgjisë, ishte i ftuari i radhës në kuadër të Tetorit të Librit për të promovuar librin “Pak-Pakt”. Në një dialog me shkrimtarin dhe dramaturgun Stefan Çapaliku, ai foli për veprën, sfidat e një autori të ri në lëmin e dramaturgjisë, teatrin dhe procesin e shkrimit.
Mbështetja e autorëve të rinj është pjesë e filozofisë së qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Kulturës. Për herë të parë këtë vit, QKLL-ja u dha mundësi krijuesve të rinj në fushën e dramës shqipe për të shpalosur krijimet e tyre më të mira.