Ndahen Cmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2023.
“ROMANI MË I MIRË I VITIT” i jepet autorit Besnik Mustafaj
Për romanin “Fati i marrë” për guximin dhe imagjinatën në krijimin e një historie “alternative,” ku mjafton të ndryshosh një detaj të vogël në histori shekuj më parë, për të na ndihmuar të gjejmë një Shqipëri më të mirë, e mbi të gjitha, më të ndjeshme; ku heronjtë janë më të prekshëm e më njerëzorë; ku gratë flasin, qoftë dhe me gjuhën e shenjave…
VEPRA MË E MIRË STUDIMORE E VITIT” i jepet autorit Pëllumb Xhufi
Për librin “Shqipëria dhe fundshekulli i dëshpëruar” për hulumtimin e dokumentimin e thelluar, bazuar në fakte dhe dokumenteve të një epoke, ku ndriçon me kompetencë ngjarjet dhe sfidat e periudhës mesjetare shqiptare; duke sjellë për të parën herë një pasqyrë të përpjekjeve të shqiptarëve për të mbijetuar si popull dhe komb në kohëra të errëta, duke ofruar një kontribut të vyer për studimet historike shqiptare.
PËRKTHIMI MË I MIRË I VITIT” i jepet përkthyeses Ana Kove
Për përkthimin e librit “Daullja prej llamarine” nga Gunter Grass, për punën mjeshtërore, përmes së cilës përkthyesja arrin të përçojë me rrjedhshmëri te lexuesi shqiptar thellësinë e zërit të pazakontë të personazhit dhe satirën e mprehtë të autorit.
VËLLIMI MË I MIRË ME TREGIME I VITIT” i jepet autorit Shpëtim Kelmendi
Për librin “Dashnia asht”, për eksplorimin e hapësirave më intime brenda nesh; me një gegnishte kumbuese e me një ndjeshmëri të rrallë…”
VËLLIMI MË I MIRË POETIK I VITIT” i jepet autores Entela Tabaku
Për librin me poezi “Qeramikiana”, për eksplorimin mjeshtëror në poezinë e saj të brishtësisë dhe reziliencës; për mënyrën se si përvojat e saj personale filtrohen në një gjuhë poetike më të madhe se jeta, duke kapur thelbin e emocioneve njerëzore me imagjinatë të gjallë dhe thellësi të jashtëzakonshme; si dhe për pasurimin e poezisë shqipe me zërin e saj lirik unik.
LIBRI PËR FËMIJË MË I MIRË I VITIT” i jepet autores Ledjona Braho
Për librin “Kroni dhe Pulëbardhat”, për kurajën e trajtimit të temave të forta bashkëkohore”.