Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në bashkëpunim me Institutin e Librit dhe Promocionit, mirëpritën në mjediset e QKLL-së mbledhjen e radhës të Projektit READ, kjo edhe në kontekstin e nismës së QKLL-së për Tetorin e Librit.
Në këtë takim pune, me praninë edhe të Drejtoreshës së QKLL-së, znj. Alda Bardhyli, u fol edhe për rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve të pavarura ballkanike me synim promovimin dhe mbështetjen e letërsisë së këtyre rajoneve dhe të shkrimtarëve të rinj.
Rrjeti Rajonal për Diversitetin Kulturor (READ) është një projekt rajonal kulturor katër-vjeçar i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i implementuar nga Goethe-Institut në Shkup së bashku me organizatat partnere: Qendra për Bashkëpunimi Ballkanik – Loja (Maqedonia e Veriut), Instituti i Librit dhe i Promocionit (Shqipëri), Shoqata kulturore – Kalem (Turqi), Krokodil (Serbi), Qendra Multimedia (Kosovë).
Projekti i kontribuon pajtimit dhe tolerancës ndërkulturore duke hapur kanale të reja të komunikimi nga shoqëritë e pavarura kulturore, duke u ofruar atyre mundësi rrjetëzimi larg skenës politike. Projekti synon të promovojë aftësitë ndërkulturore të leximit dhe vlerat demokratike përmes kulturës së leximit dhe trajtimit të veprave letrare të një cilësie të lartë.