Aktivitete, Të rejat|

Më 25 shkurt 2021, Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, organizoi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës amtare, konferencën me titull “Presionet e gjuhës”.

Konferencën e çeli Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof. dr. Sabri Laçi, i cili në fjalën e tij theksoi se kjo konferencë organizohej si shprehje e vullnetit të përbashkët të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe të

Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, parashikuar në marrëveshjen e dy institucioneve. Profesor Laçi u shpreh se “është dita t’iu kujtojmë institucioneve shkencore dhe gjithë studiuesve të shqipes, se u takon atyre që të identifikojnë modele dhe të propozojnë zgjidhje efikase në të mirë të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës amtare”.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, në fjalën e saj theksoi se: “Pastrimi i gjuhës dhe mbrojtja e saj është detyrë kombëtare. Qendra do të mbështesë kërkime shkencore, me në fokus shqipen dhe do t’i japë prioritet zërit të shkencës dhe gjuhëtarëve në projektet e saj”.

Përgjegjësi i Departamentit të Gjuhësisë, Prof. dr. Shezai Rrokaj u ndal veçanërisht te bashkëjetesa e gjuhës shqipe në raport me gjuhët e popullsive të tjera në Ballkan e diasporë. “Gjuha shqipe bashkëjeton brenda kufijve politikë dhe jashtë tyre me gjuhë të tjera të arealit ballkanik, që njihen përgjithësisht si gjuhë pakicash kombëtare, duke bashkëvepruar e krijuar një mozaik gjuhësor e kulturor me përfitim të ndërsjellë, i cili, në shoqërinë e sotme multikulturore, duhet trajtuar nga kahja e sfidave të integrimit, me të cilat ballafaqohet bashkëjetesa e popullsive etnike në rajon.”

Referues të tjerë të pranishëm në këtë konferencë, qenë edhe:

Prof. Dr. Xhevat Lloshi, i cili kumtoi për rëndësinë e kulturës së gjuhës dhe kulturës së ligjërimit;

Prof. Dr. Mimoza Gjokutaj, e cila referoi temën “Çështje të sotme të mësimit të gjuhës amtare”;

Prof. dr. Mimoza Kore, e cila referoi temën “Gjuha jonë amtare i vetmi mjet themeltar identifikues i shqiptarëve përballë sfidave të kohës”;

Prof. Dr. Aljula Jubani me kumtesën “Rrugëtimi evropian i shqiptarëve në dritën e zhvillimeve të gjuhës shqipe”;

Prof. Asoc. Dr. Lindita Xhanari me kumtesën “Shqipja në diasporë dhe domosdoshmëria e ngritjes së qendrave studimore albanologjike në disa vende”;

Dr. Elsa Skënderi-Rakipllari me kumtesën “Peizazhi linguistik i Bllokut nga njëgjuhësia në shumëgjuhësi”.

 

Comments are closed.

Close Search Window