1 qershori nuk është vetëm një ditë feste për lumturinë e fëmijëve, por dhe një ditë reflektimi për familjen, shoqërinë vendin, mbi rolin që ka edukimi për një të ardhme më të mirë nesër.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e nisi këtë ditë me promovimin e revistës së parë realizuar nga Qendra për Parandalimin e Krimeve për të Miturit dhe të Rinjtë “Reflektime”, që përshkrohet në 32 faqet e saj nga zëri dhe tabloja e një bote, për të cilën duhet të flasim e të angazhohemi më shumë.
Bashkë me ministrin e Drejtësisë z. Ulsi Manja, profesoren Vasilika Hysi dhe Drejtoreshën e QPKM, Klaudia Hasanllari, kremtuam botimin e numrit të parë të revistës dhe vizituam ekspozitën me punë të realizuara nga të miturit që vuajnë dënimin në Qendrën e Riedukimit të të Miturve në Kavajë.
Riintegrimi i këtyre fëmijëve në familje e shoqëri, është një sfidë që na bashkon, por sfida më e madhe mbetet parandalimi i rasteve të tilla.
“Kthimi i këtyre fëmijëve në rrugën e edukimit, nuk mund të vijë ndryshe, përveçse një pune që bën bashkë institucionet dhe shoqërinë. Orientimi drejt librit është orientimi drejt një të ardhmeje më të mirë nesër. Libri është e vetmja liri që na çon tek edukimi”, u shpreh drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli.